Secondary Adv

Norma bazë e interesit 2.5 për qind në 2025, Sejko: Inflacioni i importuar në minimum historik

Banka e Shqipërisë mban normën bazë 2.5% ndërsa ekonomia shfaq ecuri pozitive dhe inflacioni i importuar bie në nivele historike.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e la të pandryshuar normën bazë të interesit prej 2.5% edhe në mbledhjen e fundit për vitin 2025. Në konferencën për media, Guvernatori Gent Sejko u shpreh se ekonomia vijon të jetë në ecuri pozitive, ndërsa aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në periudhën afatmesme, duke reflektuar rritjen e konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit.

 

Bilanci ekonomik i vitit 2025

Teksa bëri një bilanc të vitit 2025, Sejko evidentoi tre zhvillime pozitive me të cilat po përballet ekonomia. Së pari, ai theksoi rritjen e qëndrueshme të kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit. Së dyti, u vu në dukje rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe shtimi i peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson hapësirën e veprimit të politikës monetare dhe forcon stabilitetin financiar. Së treti, Sejko nënvizoi cilësinë e qëndrueshme të portofolit të kredive, e reflektuar në nivelin e ulët të raportit të kredive me probleme, prej 4.3%.

 

Inflacioni dhe objektivi i Bankës së Shqipërisë

Sa i takon inflacionit, Guvernatori deklaroi se ai po ndikohet gjithnjë e më shumë nga prodhimi vendas, pasi inflacioni i importuar ndodhet në rënie historike. Sipas tij, inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

 

Ndërhyrjet në tregun valutor

Kursi i këmbimit ka vijuar të mbetet sfidues, ndaj Banka e Shqipërisë ka shtuar ndërhyrjet në treg për të frenuar rënien e euros. Sejko bëri të ditur se Banka ka ruajtur një prezencë të lartë në tregun valutor me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit, ndërhyrje që kanë kontribuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar.

 

Anëtarësimi në SEPA

Si një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2025, Guvernatori Gent Sejko evidentoi anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, një hap që i ka bërë transfertat financiare shumë më të lira dhe më të shpejta.

Burimi: Shqiptaraja.com


Më të lexuarat